Rivlerësimi i pronave ende i paqartë, agjentët e tregut shpjegojnë pse duhet të jetë 3% dhe jo më e lartë
Teksa tregu i pasurive të patundshme është në pritje të fushatës së radhës së rivlerësimit të pronave, norma tatimore që pritet të aplikohet i ngjan një loje kungulleshkash. Nismëtarja, deputetja Blerina Gjylameti, ka propozuar një normë 3%. Dy muaj më pas kryeministri deklaroi se ajo do të jetë 5%. Ndërkohë gjatë diskutimeve në komisionin e […]
Teksa tregu i pasurive të patundshme është në pritje të fushatës së radhës së rivlerësimit të pronave, norma tatimore që pritet të aplikohet i ngjan një loje kungulleshkash.
Nismëtarja, deputetja Blerina Gjylameti, ka propozuar një normë 3%. Dy muaj më pas kryeministri deklaroi se ajo do të jetë 5%. Ndërkohë gjatë diskutimeve në komisionin e ekonomisë deputet e opozitës kanë sugjeruar 2% ndërsa ata të mazhorancës kërkojnë të jetë 4%.
Analizat e tregut si dhe eksperienca e fushatave në të kaluarën sugjerojnë se norma duhet të jetë e ulët dhe e shtrirë në kohë që të ketë sukses.
“Ne kemi parë se kur norma tatimore është 3%, që nga 2011 e deri më sot ka qenë 1-2-3% , tregu ka funksionuar. Dhe jo vetëm tregu, por edhe financat e qeverisë janë përmirësuar. Nga ana nga analizat e kryera rezulton se për çdo rritje me 1% të normës tatimore, tregu tkurret me 3%. E thënë ndryshe. Sa më e lartë të jetë tatimi aq më i shtrenjtë dhe i papërballueshëm bëhet ky produkt. Ne do të bëjmë avokacinë tonë që të jetë 3%”, thotë Reinaldo Pipiria, drejtor në shoqatën e agjentëve imobiliarë.
Shoqata bën apel që qeveria të mos e mbajë më peng këtë proces, por të respektohen afatet dhe të nis zbatimin në shtatorë.
“Në 19 korrik është diskutuar propozimi në komision. Brenda 20 gushtit Ministria e financave duhet të depozitojë në kuvend oponencën dhe qëndrimin e saj. Më pas diskutohet në komisionin të ligjeve dhe në fund në seancë. Ne duam që të mos zvarritet, sepse tashmë ka dy muaj kjo nismë që është në pezull”, thotë Pipiria.
Agjentët e tregut thonë se ka një tkurrje të shit-blerjeve të pronave në 6-mujorin e parë. Por ata hedhin poshtë idenë se ka rënë kërkesa.
“Ka patur një bllokim të tregut sidomos pas daljes së këtij propozimi, 20%. Kjo ka ardhur për shkak të paqartësive. Nuk ka ardhur prej rënies së kërkesës, por për të parë sa do jetë tatimit, sidomos për pronat me tituj pronësie. Por kontratat e porosisë kanë kërkesë të lartë”, deklaron Pipiria.
Kreu i qeverisë tha se kjo do të jetë fushata e fundit. Si e tillë ajo duhet të pasohet me një zgjidhje përfundimtare të skemës së shit-blerjes së pronës. Nga 2026 pritet të hyjë në fuqi skema e re taksimit të pronave, për rrjedhojë dhe shitja e tyre duhet të shoqërohet me një normë fikse tatimore, më e ulët se 15%, që për shumë ekspertë të fushës duhet të jetë të paktën 50% më ulët.
/a.r
What's Your Reaction?