Nga një cigare te dozat e kokainës, lufta e 19-vjeçarit me drogën: Nuk qëndroja dot pa të
Maturantë, gjimnazistë e studentë nga e gjithë Shqipëria janë protagonistë të “Gen Alpha” për të diskutuar rreth tematikave të veçanta dhe për të ndarë historitë e tyre. I pari që e merr fjalën është Ilioni, i cili prej një viti e gjysmë ia ka dalë të shkëputet nga varësia ndaj drogës. Ardit Gjebrea: Ilion, sa kohë […]
Maturantë, gjimnazistë e studentë nga e gjithë Shqipëria janë protagonistë të “Gen Alpha” për të diskutuar rreth tematikave të veçanta dhe për të ndarë historitë e tyre. I pari që e merr fjalën është Ilioni, i cili prej një viti e gjysmë ia ka dalë të shkëputet nga varësia ndaj drogës.
Ardit Gjebrea: Ilion, sa kohë ke që je i pastër, pra që e ke lënë drogën?
Ilion: Përshëndetje të gjithëve! Unë kam rreth 560 ditë ose 1 vit e gjysmë i pastër.
Ardit Gjebrea: Sa kohë e ke përdorur?
Ilion: Rreth 5 vjet përpara, unë tani jam 19 vjeç, rreth moshës 13 ose 14 vjeç.
Ardit Gjebrea: Me çfarë fillove?
Ilion: Pikënisja e çdo gjëje ishte duhani dhe pastaj vazhdoi gradualisht te hashashi dhe te të gjitha drogërat e tjera.
Ardit Gjebrea: Prindërit nuk e kuptuan?
Ilion: Filliisht jo sepse nuk kishte një ndryshim të madh tek unë, por kur ajo vërtet krijoi një varësi dhe krijoi një vend në trupin tim, atëherë e kuptuan.
Ardit Gjebrea: Si ishte jeta jote?
Ilion: Që në moshën 11-vjeçare kur unë fillova punë për herë të parë, kam qenë që i vogël një djalë punëtor dhe sportist, por…
Ardit Gjebrea: Ti ke qenë sportist?
Ilion: Sporti im i preferuar ka qenë boksi në të cilin vazhdoj trajnohem përsëri, por nuk jam pjesë e një kampionati.
Ardit Gjebrea: I ke pasur ëndrra besoj?
Ilion: Po, është dëshira ime më e madhe të isha boksier.
Ardit Gjebrea: Por nuk u bëre dot.
Ilion: Ishin këto sfidat e moshës.
Në moshën 11-vjeçare, Ilioni tregon se nisi punë si ndihmës në një restorant. Pagesa që merrte ishte mjaft e majme për moshën e tij dhe kishte krijuar një rrjet të gjerë shoqëror. Fillimisht nisi prezantimi i tij me cigaren për të përshkallëzuar te hashashi që më vonë do t’i kërkonte diçka tjetër edhe më të madhe, më të fortë, më të rrezikshme.
Ilion: Pasi po filloja po përdorja duhanin çdo ditë, më sugjeruan, po e njëjta shoqëri, edhe hashashin. Në fillim e kisha me frikë se çfarë efekti do të jepte, por ma bënë shumë të sigurt që nuk është asgjë, është një gjë normale dhe e provova. Pasi e provova një herë, herën e dytë shkova vetë.
Ardit Gjebrea: E kërkove vetë?
Ilion: Po, dhe shumë herë të tjera me radhë. Pas një kohe që unë përdora hashashin ose marijuanën, thashë pse jo ta provoj këtë që vjen pas, e cila ishte kokaina. Kjo do të thotë ishte shkatërrimi i çdo gjëje, kjo ishte kulmi. Në fillim ishte ndjesi e mirë sepse edhe ma kishin përshkruar të tillë personat që ma dhanë, që të bën ‘high’ të bën të jesh i gëzuar dhe realisht kështu të bënte, por jo një gëzim real, ishte një gëzim shumë fals, gëzim momental.
Ardit Gjebrea: Dhe sa zgjaste?
Ilion: Nuk mund të zgjaste më shumë se gjysmë ore ose një orë.
Ardit Gjebrea: Po pastaj?
Ilion: Pastaj kërkonte përsëri doza të tjera. Gjithmonë kam menduar se e kam pasur nën kontroll çdo gjë, por vonë ishte kur e kuptova që kisha krijuar një varësi sepse pas njëfarë konsumimi, shkoja në shtëpi dhe thosha nuk do të pi më dhe ndodhi disa herë kështu derisa një ditë shkova në shtëpi dhe nuk po qëndroja më pa të, thjesht kisha vetëm atë dëshirën dhe atë mendimin që ku ka të gjej?
Ardit Gjebrea: E kuptuan prindërit?
Ilion: Prindërit e kuptuan kur unë isha në një pikë shumë të vështirë shëndetësore patjetër, por edhe nga ana ekonomike sepse drogërat nuk janë të lira. Ato të shtyjnë drejt borxheve, drejt zënkave dhe gjithë problemeve të tjera. Në shumë raste e kam ndier veten keq sepse kam pasur rrahje shumë të mëdha zemre, pothuajse kalim në mbidozë kur thjesht thosha o Zot, të lutem më ruaj tani!
/a.r
What's Your Reaction?