SHBA nuk do të ripërtërijë statusin ligjor për qindra mijëra emigrantë
Administrata e Presidentit Biden nuk do të ripërtërijë një program të përkohshëm për mbërritjen në baza humanitare gjatë viteve të fundit të qindra
Administrata e Presidentit Biden nuk do të ripërtërijë një program të përkohshëm për mbërritjen në baza humanitare gjatë viteve të fundit të qindra mijëra emigrantë të sponsorizuar nga shtetasit amerikanë, njoftoi të premten Departamenti i Sigurisë Kombëtare.
Që nga tetori i vitit 2022, rreth 530,000 emigrantë nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara përmes rrugëve ajrore dhe kanë përfituar një qëndrim dyvjeçar në bazë të një programi që fillon të skadojë gjatë javëve të ardhme.
Por shumë nga këta emigrantë mund të përfitojnë të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara në bazë të disa programeve të tjera.
Programi i përkohshëm i lejon emigrantët me sponsorë ekzistues amerikanë që të futen në Shtetet e Bashkuara për arsye humanitare ose nëse hyrja e tyre konsiderohet si përfitim i rëndësishëm publik. Programi parashikon vazhdimin e pranimit të aplikimeve nga individët që ndodhen jashtë Shteteve të Bashkuara.
Administrata e Presidentit Joe Biden e filloi programin në fjalë si një mënyrë për t’u siguruar emigrantëve rrugë ligjore për t’u futur në Shtetet e Bashkuara dhe ulur kalimet e paligjshme në kufirin me Meksikën.
Gjatë administratës së Presidentit Biden janë kapur një numër rekord emigrantësh duke kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin amerikan, por fluksi ka rënë gjatë muajve të fundit pasi zoti Biden vendosi kufizime të reja kufitare.
Emigracioni është një çështje e rëndësishme për amerikanët të cilët do të zgjedhin në votimet e 5 nëntorit mes Nënpresidentes demokrate Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump, i cili e ka kritikuar programin në fjalë.
Vendimi për të mos e ripërtërirë programin e qëndrimit të përkohshëm për shtetasit e katër vendeve në fjalë bazohet tek përcaktimet e bëra nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare në fillim të nisjes së programit, tha përmes një deklarate zëdhënësja Naree Ketudat.
Emigrantët që nuk kanë leje për të qëndruar në SHBA “do të duhet të largohen nga Shtetet e Bashkuara përpara skadimit të lejes së përkohshme të qëndrimit ose do të përballen me procedurat e dëbimit”, tha zëdhënësja Ketudat.
Ndërkohë janë zgjatur programet e qëndrimit të përkohshëm për shtetasit ukrainas dhe afganë.
Shumica e emigrantëve nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela kanë mënyra të tjera për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Shumë shtetas nga Kuba mund të përfitojnë në bazë të një ligji të vitit 1966 për kubanezët, që u jep të drejtën e qëndrimit të përhershëm dhe eventualisht marrjen e shtetësisë amerikane.
Një pjesë e mirë e emigrantëve nga Haiti dhe Venezuela, që gjenden në Shtetet e Bashkuara, mund të përfitojnë nga një program tjetër për qëndrim të përkohshëm dhe të drejtën për të punuar. Shtetasit e të katër vendeve gjithashtu mund të aplikojnë për azil./VOA
What's Your Reaction?