“Lifestyle Conference” mblodhi mjekë dhe profesionistë në Tiranë: Thirrje për ndërgjegjësim dhe reduktimin e dëmit

Më 30 prill, Piramida u kthye në një hapësirë informimi, ndërgjegjësimi dhe promovimi mbi stilin e jetesës dhe reduktimin e risqeve – duke e trajtuar këtë koncept jo vetëm në lidhje me sëmundjet, por me një qasje praktike ndaj dëmit dhe alternativave që ndikojnë pozitivisht në shëndetin tonë.  Konferenca mblodhi përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë […] The post “Lifestyle Conference” mblodhi mjekë dhe profesionistë në Tiranë: Thirrje për ndërgjegjësim dhe reduktimin e dëmit appeared first on AgroWeb.

Maj 6, 2025 - 22:30
 0
“Lifestyle Conference” mblodhi mjekë dhe profesionistë në Tiranë: Thirrje për ndërgjegjësim dhe reduktimin e dëmit

Më 30 prill, Piramida u kthye në një hapësirë informimi, ndërgjegjësimi dhe promovimi mbi stilin e jetesës dhe reduktimin e risqeve – duke e trajtuar këtë koncept jo vetëm në lidhje me sëmundjet, por me një qasje praktike ndaj dëmit dhe alternativave që ndikojnë pozitivisht në shëndetin tonë. 

Konferenca mblodhi përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Instituti i Shëndetit Publik, Fakulteti i Mjekësisë, si dhe profesionistë nga fusha të ndryshme si psikologjia, dentistria, toksikologjia, nutricioni, aktiviteti fizik, media dhe teknologjia, për të diskutuar mbi rolin e secilit në ndërtimin e zakoneve të shëndetshme. 

Freskida Miloti, si organizatore dhe moderatore, theksoi rëndësinë e organizimit të këtyre konferencave për të krijuar një platformë komunikimi, promovimi dhe ndërgjegjësimi – jo vetëm për t’u njohur me risitë dhe studimet më të fundit nga fusha e mjekësisë, por për të bashkuar profesionistë nga disiplina të ndryshme, ku secili ka një rol të rëndësishëm në përmirësimin e stilit të jetesës dhe reduktimin e risqeve. 

Në fjalën përshëndetëse, Prof. Dr. Mira Rakacolli, Zv/Ministre e Shëndetësisë, vlerësoi konferencën dhe nënvizoi rëndësinë e parandalimit në kujdesin shëndetësor: 

“Në përgjithësi, në sfidat e shëndetit, fokusi ka qenë te sëmundja dhe kurimi, por në fakt ajo që duhet të ketë vëmendjen më të madhe është parandalimi.” 

Këtë qasje e mbështeti edhe Zv/Rektorja e Universitetit të Mjekësisë, Prof. Suela Këlliçi, e cila theksoi se parandalimi dhe reduktimi i riskut janë ndër instrumentet kyçe në përmirësimin e stilit të jetesës – një mision që promovohet edhe nga vetë universiteti. 

Dr. Adrian Hoxha, drejtues i Shoqatës Kombëtare të Shëndetit Publik, theksoi se koncepti i reduktimit të dëmit nuk i përket më vetëm fushës së shëndetësisë: 

“Masat që marrim dhe alternativat që ofrojmë, sidomos për grupet në risk – si konsumatorët e duhanit, alkoolit apo substancave – kanë një rëndësi të veçantë. Duhet të punojmë së bashku që këto grupe të mos stigmatizohen, por të mbështeten përmes informacionit dhe alternativave të duhura.” 

Në lidhje me shëndetin mendor, Prof. Gentiana Qirjako, Shefe e Sektorit të Promocionit Shëndetësor në Institutin e Shëndetit Publik, prezantoi punën e Aleancës kundër Depresionit, si një iniciativë që synon të forcojë diskutimin mbi shëndetin mendor në nivel komunitar, sidomos për grupet në risk. 

Nga kjo u ngrit edhe thirrja për ndërtimin e një kulture të kontrolleve periodike, testimeve, diagnostikimit dhe parandalimit të sëmundjeve të lidhura me stilin e jetesës. 

Në panelet që pasuan, ku u diskutua mbi reduktimin e riskut, farmaceutikën dhe lëvizjen, u theksua domosdoshmëria për kujdes të veçantë kur flitet për produktet e duhanit – gjithmonë duke u mbështetur në fakte dhe studime shkencore. U vu në dukje edhe ndikimi i tyre në shëndetin oral, si dhe shqetësimi në rritje për aksesin që të rinjtë kanë ndaj këtyre produkteve. Ndërkohë, aktiviteti fizik u vlerësua si një faktor kyç në mirëqenien e individit dhe komunitetit, jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në atë mendor dhe social. 

U diskutua gjithashtu roli i gjenetikës në ndërtimin dhe ruajtjen e një stili jetese të shëndetshëm. U theksua rëndësia e një diete të balancuar, e konsultimit të vazhdueshëm me specialistë dhe u bë thirrje për shmangien e vetë-diagnostikimit dhe përdorimit të pakontrolluar të suplementeve. 

Në një tjetër prezantim, toksikologia Dr. Sonila Bitri trajtoi çështjen e abuzimit me substancat e dëmshme dhe ndikimin e tyre në stilin e jetesës. Përdoruesit e duhanit, alkoolit dhe substancave të dëmshme, pavarësisht zgjedhjeve që kanë bërë, nuk mund t’i përjashtojmë, por duhet të ofrojmë mbështetje dhe alternativa më pak të dëmshme. Ajo theksoi se: 

“Ndalimi dhe stigmatizimi nuk janë zgjidhje për këtë grup në risk. Ilaçi kundër varësisë është lidhja me njëri-tjetrin, mbështetja dhe ofrimi i alternativave.”  

Në kuadër të politikave për varësinë dhe reduktimin e dëmit, u lançua edhe manuali i përgatitur me kontributin e Shoqatës Kombëtare të Shëndetit Publik. 

Paneli i fundit iu kushtua rolit të medias dhe teknologjisë në edukimin për shëndetin – një diskutim mes gazetarësh, ekonomistësh dhe ekspertësh të teknologjisë. Teknologjia u vlerësua si një aleat i rëndësishëm në ndërtimin e një rutine të shëndetshme, por edhe si mjet për të sinjalizuar probleme shëndetësore përmes pajisjeve të vetë-monitorimit. Gjithashtu, ajo u konsiderua një mënyrë për të larguar individët nga zakonet e dëmshme dhe për të përqafuar sjellje më të shëndetshme. 

Gazetarja Mira Kazhani theksoi rëndësinë e krijimit të një vetëdijeje mbi përmbajtjen që ndjekim në rrjetet sociale, duke e parë mjekun si figurë kyçe në edukimin për shëndetin. Ndërsa Brenton Bënja, përfaqësues i fushës së teknologjisë, deklaroi: 

“Pavarësisht se teknologjia, përmes pajisjeve të vetë-monitorimit, mund të jetë një mjet shumë i mirë për të sinjalizuar një anomali – gjithmonë duhet t’i drejtohemi mjekut.” 

Deklaratë që u mbështet edhe nga pjesa tjetër e panelistëve. 

“Lifestyle Conference” u mbyll me një mesazh të qartë: të përqafojmë zakone të shëndetshme dhe të shohim mirëqenien si një përgjegjësi e gjithsecilit – jo vetëm e mjekut. Me përfshirjen e konceptit të reduktimit të dëmit, këto platforma krijojnë mundësi reale për reduktimin e riskut në nivel individual dhe komunitar. 

The post “Lifestyle Conference” mblodhi mjekë dhe profesionistë në Tiranë: Thirrje për ndërgjegjësim dhe reduktimin e dëmit appeared first on AgroWeb.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.