Drejt universiteteve, maturantët mes pasionit dhe realitetit të tregut
Maturantët kanë nisur përgatitjet për provimet e maturës, ndërsa ndodhen përballë një prej vendimeve më të rëndësishme të jetës: zgjedhjen e degës së studimit dhe të së ardhmes së tyre profesionale. Midis frikës dhe dëshirës për të ndjekur pasionet, ata ndajnë mendimet dhe dilemat që i shoqërojnë në këtë periudhë. Në gjimnazin “Qemal Stafa” në […] The post Drejt universiteteve, maturantët mes pasionit dhe realitetit të tregut first appeared on JavaNews.al.

Maturantët kanë nisur përgatitjet për provimet e maturës, ndërsa ndodhen përballë një prej vendimeve më të rëndësishme të jetës: zgjedhjen e degës së studimit dhe të së ardhmes së tyre profesionale.
Midis frikës dhe dëshirës për të ndjekur pasionet, ata ndajnë mendimet dhe dilemat që i shoqërojnë në këtë periudhë.
Në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, përgatitjet janë intensifikuar. Nxënësit jo vetëm që punojnë për provimet përfundimtare, por gjithashtu po ndihmohen nga orët e këshillimit të karrierës për të kuptuar më mirë aftësitë dhe interesat e tyre.
“Këshillimi i karrierës më ka ndihmuar të zgjedh çfarë profesioni dhe çfarë dege do të vazhdoj, si edhe të përgatitem për testet. Kam dëshirë të ndjek psikologjinë. Më duket një degë interesante dhe jo shumë e kërkuar, prandaj mendoj ta provoj. Më pëlqen aftësia për të kuptuar njerëzit”, thotë Kleana Zhupa, maturante në “Qemal Stafa”.
Geraldina Pritaj, gjithashtu maturante, ndan pasiguritë e saj për shkencat ekzakte:
“Këto shkencoret nuk janë ndonjë talent i imi, aty kam pak frikë. Na ka ndihmuar edhe këshillimi i karrierës, duke na dhënë teste për të tre lëndët që kemi. Kam qenë mes shumë degëve, por tani jam më e fokusuar te ekonomiku, artet, shkencat politike ose marketingu.”
Ndërkohë, ka dhe maturantë që i referohen më shumë realitetit të tregut të punës sesa pasionit për të bërë zgjedhjen e tyre.
Gerald Bardhi, maturant, shprehet:
“Jam mes inxhinierisë dhe ekonomikut. Është një zgjedhje personale, por edhe në varësi të tregut të punës në Shqipëri. Në bazë të analizave që kam bërë, kam parë që ka kërkesë për këto fusha”, thotë maturanti Gerald Bardhi.
Pavarësisht vullnetit të tyre, vendimmarrja e maturantëve shpesh ndikohet edhe nga familja. Prindërit kërkojnë ndihmën e mësuesve dhe, në shumë raste, dëshirojnë që fëmijët të ndjekin gjurmët e tyre profesionale.
“Kemi pasur prindër që nuk janë shumë të informuar për mënyrat e konkurrimit dhe shprehen: ‘Nuk e dimë se cila është zgjedhja më e mirë për fëmijën tonë.’ Ne i këshillojmë bazuar në aftësitë e nxënësit dhe japim mendimin tonë. Ka dhe prindër që duan që fëmija të ndjekë profesionin e tyre dhe thonë: ‘Djali im mund të bëhet mjek, mund të bëhet inxhinier.’ Ne u paraqesim edhe një version tjetër, më të hapur, bazuar në interesat dhe mundësitë e vetë nxënësit”, thotë Elizabeta Drita, mësuese në “Qemal Stafa”.
Teksa maturantët përgatiten për hapin e radhës, mbështetja nga shkolla dhe familja mbetet thelbësore për të bërë një zgjedhje të informuar dhe të suksesshme.
The post Drejt universiteteve, maturantët mes pasionit dhe realitetit të tregut first appeared on JavaNews.al.
What's Your Reaction?






