Rishikimi i buxhetit, këtë muaj pritet miratimi i pagave të reja të administratës dhe lehtësive fiskale për të rinjtë

Buxheti i shtetit do të rishikohet për herë të dytë brenda këtij muaj, duke reflektuar rritje të pritshmërive për të ardhurat si dhe për shpenzimet, si rezultat i performancës pozitive të të ardhurave. Në këtë ndryshim të buxhetit do të përfshihet edhe fondi i garancisë sovrane për bujqësinë, si dhe po diskutohet edhe paketa e […]

Qeshor 9, 2024 - 18:25
 0
Rishikimi i buxhetit, këtë muaj pritet miratimi i pagave të reja të administratës dhe lehtësive fiskale për të rinjtë
Reklamë
Reklamë

Buxheti i shtetit do të rishikohet për herë të dytë brenda këtij muaj, duke reflektuar rritje të pritshmërive për të ardhurat si dhe për shpenzimet, si rezultat i performancës pozitive të të ardhurave. Në këtë ndryshim të buxhetit do të përfshihet edhe fondi i garancisë sovrane për bujqësinë, si dhe po diskutohet edhe paketa e re e ndihmës për familjet në nevojë. Aktualisht buxheti i shtetit është 744 miliardë lekë, dhe të ardhurat e planifikuara për tu mbledhur 686.7 miliardë lekë.

Burime nga Ministria e Financave pohojnë se brenda muajit do të dalë në konsultim publik edhe projektligji i ri ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, i cili do të përfshijë fashat e reja të tatimit mbi pagat si dhe lehtësitë fiskale të paralajmëruara për prindërit me fëmijë në ngarkim dhe të gjithë të rinjtë e punësuar deri në 29 vjeç.

Pritet që me këtë rishikim të ligjit, do të ulet tatimi mbi pagat e larta. E më konkretisht po diskutohet që tatim 23% të mos paguajnë ata individë që marrin 200 mijë lekë në muaj, por ato të punësuar që kanë rroga mbi 250 mijë lekë në muaj. Sipas të dhënave në Shqipëri janë afro 23 mijë qytetarë që kanë paga mbi 200 mijë lekë.

Aktualisht Nëse një person ka rrogë mujore 210 mijë lekë, ai paguan tatim 23% vetëm për 10 mijë lekëshin, dhe më pas i shtohen 22 mijë e 100 lekë që është tatimi që paguhet për pagën 200 mijë lekë, dhe në total ky person paguan për shtetin 25.400 lekë.

Si tatohen sot kategoritë e tjera të pagave?

Aktualisht janë 613 mijë të punësuar që nuk paguajnë tatim sepse marrin rroga deri në 50 mijë lekë, që është pragu i patatueshëm.

Më pas janë 120 mijë punonjës që marrin paga nga mbi 50 mijë lekë deri në 60 mijë lekë që tatohen me 13%, por për këtë kategori tatimi paguhet për vlerën mbi 35 mijë lekë.

Për rrogat nga mbi 60 mijë lekë deri në 200 mijë lekë, tatimi mbetet 13% por paga e tatueshme nis nga vlera mbi 30 mijë lekë.

Këto fasha tatimi kanë hyrë në fuqi në qershor të vitit të kaluar, kur u rishikua ligji i tatimit mbi të ardhurat, i cili bëri pjesë të taksimit edhe profesionistët e lirë.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave, vetëm në katër muajit e parë të vitit nga tatimi mbi të ardhurat personale janë arkëtuar 21 miliardë lekë, 2.9 miliardë lekë më shumë se 4 mujori 2023, si dhe 425 milionë më shumë se plani i 4 mujorit të këtij viti.

Ndërsa për lehtësitë e tjera fiskale, pritet të gjithë të rinjtë deri 29 vjeç që janë të punësuar, do ju zbritet një shifër e caktuar si shpenzim i domosdoshëm në deklaratën vjetore të të ardhurave personale. (Pra, pasi i riu plotëson deklaratën, një shumë e caktuar nga tatimi i paguar gjatë vitit do ti zbritet dhe do t’i kthehet pas, si një mbështetje dhe lehtësi nga shteti).

Aktualisht në vend sipas INSTAT rezultojnë më shumë se 253 mijë persona të punësuar që i përkasin moshës 15-29 vjeç, të cilëve do ju jepet e drejta të plotësojnë DIVA, dhe në fund të vitit t’ju zbritet shuma që do të caktohet nga Ministria e Financave.

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, deklaratën e të ardhurave do ta dorëzojnë të gjithë ata persona që të ardhurat vjetore gjatë vitit aktual do të jenë mbi 1.2 milionë lekë. Pra nëse një i punësuar këtë vit ka rrogë mujore bruto mbi 100 mijë lekë, vitin që vjen brenda 30 prillit duhet të dorëzojë DIVA-n. Po ashtu do vijojnë ta plotësojnë edhe personat që janë të punësuar në më shumë se një vend.

Por DIVA-n mund ta plotësojnë në mënyrë vullnetare edhe ata individë që nuk e arrijnë këtë total të ardhurash. Këto ndërhyrje në sistemin tatimor sipas qeverisë bëhen për të lehtësuar shtresën e mesme si dhe për t’i nxitur të rinjtë të punësohen.

Po ashtu ligji i ri do të caktojë edhe një nivel të ri shpenzimi të domosdoshëm për të gjithë prindërit që kanë fëmijë në ngarkim nën 18-vjeç.

Ndërkohë brenda këtyre ditëve pritet të bëhen zyrtare edhe pagat e reja të administratës publike, rritje që do të nisë të zbatohet nga 1 korriku i këtij viti, ku përfshihen arsimtarët, bluzat e bardha dhe ushtarakët.

Reforma e plotë e pagave, që po vijon nga vitit 2023, e shtrirë përgjatë dy viteve arrin një kosto prej rreth 39 miliardë lekë dhe përfitojnë 130 mijë punonjës. Me rritjen e këtij viti, planifikohet që rroga mesatare në shtet të arrijë 900 euro.

TATIMI MBI TË ARDHURAT PERSONALE

Janar-Prill 2023 18,112 mld lekë

Janar-Prill 2024 21,045 mld lekë

Janar-Prill plani 20,621 mld lekë

PAGAT E LARTA/ TATIMI

Paga mbi 200 mijë lekë 23.047 punonjës

Tatimi që paguajnë 23%

Totali i të punësuarve 1.3 milionë persona/Shqiptarja.com

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.